|
Monday, 12 November 2007 |
|
Ka qenë patriot e demokrat i shquar dhe një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi në Frashër (Përmet) më 1839 në familjen e një spahiu të vogël të deklasuar. Pjesën e parë të jetës e kaloi në fshatin e lindjes. Në moshën 18 vjeçare u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877. Në fund të këtij viti (1877), kur ishte deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll. Dha një ndihmesë të rëndësishme në përpunimin e platformës politike të Lëvizjes Kombëtare, sidomos pas nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit. Ai mori pjesë aktive në përpjekjet për themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe u shqua si udhëheqës, organizator e diplomat i saj. Veprimtarinë e tij kryesore e zhvilloi sidomos në viset e vilajetit të Janinës dhe të Kosovës. Luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut nuk e shkëputi asnjëherë nga lufta për autonominë e Shqipërisë. Mori pjesë pothuajse në të gjitha kuvendet kryesore që u organizuan gjatë viteve të Lidhjes. Kudo udhëhoqi krahun autonomist të lëvizjes. Në Kuvendin themelues të Lidhjes së Prizrenit u zgjodh kryetar i komisionit të punëve të jashtme të saj. Ai qe organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës (janar 1879), i cili arriti ta pengonte lëshimin e Çamërisë në favor të Greqisë. Në pranverën e vitit 1879 kryesoi delegacionin e Lidhjes që vizitoi kryeqytetet e fuqive të mëdha për të mbrojtur nga afër tërësinë territoriale dhe të drejtat për autonomi të Shqipërisë. U bë anëtar i qeverisë së përkohshme, që u formua në Prizren në fillim të vitit 1881. Pas shtypjes së Lidhjes u arrestua dhe u dënua me vdekje nga gjyqi special osman, por dënimi u kthye në burgim të përjetshëm. Megjithatë, pasi qëndroi në burg 3 vjet dhe në internim 20 muaj, për arsye shëndetësore u lirua, por me kusht që të hiqte dorë nga veprimtaria politike patriotike. Edhe pse i sëmurë dhe i izoluar, ai e vazhdoi veprimtarinë patriotike derisa vdiq në Stamboll më 23 tetor 1892.
|