|
Duke folur për arkitekturën popullore të banesave nuk mund të mos përmendim disa elemente karakteristike të lidhura pazgjidhshmërisht me të. Është fjala për kalldrëmet e te gjitha rrugëve të qytetit, të ndërtuara bukur, kryesisht me gur kavoje e me gurë lumi. Në cdo kalldrëm të rrugëve ishte një vijë për kalimin e ujit, që thuajse cdo dite lëshohej nëpër rrugë nga ujët e mullinjve për të bërë pastrimin e rrugëve, portave, oborrëve. Thuajse të gjitha banesat ishin ta pajisura me oborre të shtruara me pllaka guri. Ishin të pakta ato shtëpi që nuk kishin kopësht sado të vogël. Si vecori e arkitekturës popullore të banesave përmetare duhet shënuar pajisja e mjaft portave, vecanërisht të banesave të mëdha, me nga dy sofate në të dy anët e portës, ku zakonisht uleshin sidomos graria mbrëmave për të bërë muhabet me fqinjët. Le te kujtojme këtu kengen Përmetare “Ke dalë e më rri në sofat të portës”. Një tjetër zakon vendas që tregon paqllëkun e nikoqireve përmetare ka qenë lyerja me gëlqere e vijave në pragjet e portave, sofateve dhe oborreve, që jo vetëm spikatnin nga ana higjeno-sanitare, por edhe nga pikëpamja estetike. Këto që vareshin nga vetë banorët kryheshin më së miri, por kjo nuk mund të thuhet për organet shtetërore, të cilat nuk kishin marrë masa për të krijuar një sistem kanalizimesh të rregullta, që ishin aq të domosdoshme.
 Banesat qytetare nuk i kalonin tre katet. Shumica dërrmuese ishin me dy kate dhe pjesërisht përdhese. Nga zhvillimi i arkitekturë popullore në qytet mund të nxjerrim edhe një përfundim tjetër, se këto arritje arkitektonike të qytetit, që e kishin zanafillën që nga shekulli 19, ushtruan një ndikim të fuqishëm edhe në banesën fshatare. Kështu psh. Në Novoselë të Shqerisë qëndron ende më këmbë një shtëpi e madhe dhe e bukur me dy kate. Në katin e dytë ka sallon me nime anash, si edhe nje platformë të ngritur më lart se nimet. Aty ka qene vendi ku rrinte orkestra në raste dasmash e gëzimesh. Pra që kur hidheshin themelet e ndërtesës, mendohej t’i bëhej vend edhe muzikës. Të tilla ndërtesa ka pasur edhe në fshatrat e Shqerisë, Cerjes e Dangëllisë. Materialet jane marre nga Veshtrim mbi kulturen popullore te treves se Permetit - Stilian Adhami. © Permeti-Jone.com
|