Pėrmeti mes Patriotizmit dhe Panhelenizmit PDF Print E-mail
Saturday, 08 March 2008

Përmeti mes Patriotizmit dhe Panhelenizmit

Pas shpalljes së pavarësisë së vendit tonë në nëntor të vitit 1912, nahija e Përmetit që përfshinte kazatë e Permetit, Kelcyrës gjendej nën pushtimin e trupave greke sepse po në këtë kohë zhvillohej lufta ballkanike. Shumë fshatra të Dangëllisë, Dëshnicës dhe Shqerisë u dogjën dhe u plackitën. Popullsia e këtyre anëve u masakrua ose u shpërngul me forcë drejt Vlorës dhe Shqipërisë së Mesme. Për këto masakra flet dhe shtypi i kohës i botuar jashtë Shqipërisë dhe sidomos në Amerikë. Një nga këta patriotë përmetar i cili publikoi masakrat e grekëve në rrethin tonë ishte dhe Kosta Tomorri (shkrimet e tij gjenden ne arkivin e bibliotekës Kombëtare në Tiranë).
Për më shumë se 8 vjet që nga shpallja e pamvarësisë, Përmeti dhe rrethinat e tij u gjendën nën barbaritë greke. Pushtuesit përbëheshin nga forca të rregullta ushtarake, gjiritllinj të ardhur nga ishulli i Kretës, të burgosur ordiner te liruar me kusht se do fitonin lirinë nëse do luftonin për Vorio-Epirin, nënshtetas shqiptarë me kombësi greke si dhe përmetarë me kombësi shqiptare por të mbrujtur me Megalo-Idenë Greke. Këta të fundit vinin nga familje orthodokse të qytetit dhe të rrethinave të Përmetit. Por këto familje të sipërpërmendura nuk kishin vetëm anëtarë gjakprishur me helmin grek por edhe patriotë që i thoshin vetes shqiptar. Dhe ata përbënin shumicën.......
Shteti Grek kishte ndërhyrë në Jugun e Shqipërisë dhe pikërisht në Përmet me justifikimin se populli i Vorio Epirit po sulmohej dhe po masakrohej nga myslymanët turq dhe shqiptarë edhe pse turqit ishin larguar me kohë nga vendi ynë. Ky justikim i viktimizimit të grekëve u mbështet dhe nga propaganda fetare dhe ajo shterërore që kish filluar që në mesin e shekullit të 19-të me Megalo-Idenë (Greqia e Madhe).
Përmeti dhe të gjitha krahinat e jugut që kishin banorë ortodoksë (pamvarësisht se shumica ishin shqiptarë dhe të një gjaku me fqinjët dhe miqtë e tyre te sektit synit dhe bektashi), sipas Idesë së Madhe Greke, i takonin rajonit historik dhe gjeografik të Vorio-Epirit. Por pas këtij justifikimi qëndronte frika e madhe e Grekëve për territoret e Camërisë, Konicës, Follorinë,s Artës dhe Prevezës. Me pushtimin e krahinave të Shqipërisë që mbeti brenda kufijve të vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1913, grekët kishin një gur justifikimi dhe vrisnin dy zogj. E para me pushtimin e territoreve të Përmetit, Gjirokastrës, Sarandës, Kolonjës, Tepelenës dhe Korcës, largonin vëmendjen e patriotëve (si brenda vendit të organizuar në ceta dhe ata jashtë të organizuar në federata dhe shoqata pranë selive qeveritare në Europë dhe Amerikë) nga territoret shqiptare që mbeten jashtë kufijve të Shqipërisë e njëkohësisht i angazhonin ata brenda territorit. Gjithashtu fuqitë e mëdha, tashmë do bënin arbitrin dhe gjyqtarin për mosmarrëveshjet ndërmjet gjoja popullsisë së madhe greke të mbetur brenda kufijve të Shqipërisë, duke larguar vëmendjen e tyre nga popullsia shqiptare që ndodhej tashmë brenda kufijve të shteti Grek. Kjo ishte filozofia Greke e cila u zbatua me anë të dhunës dhe që la jashtë territoret e Camërisë dhe juglindjes nga trungu amë. Tashmë patriotët shqiptarë anagazhoheshin me të gjitha forcat për të ruajtur ato territore të cunguara që i kishin mbetur shqipërisë dhe nuk kishin mundësi të ngrinin zërin apo të luftonin për ato vise që tashmë po digjeshin në Camëri e Janinë.

Në 1914, me fillimin e luftës së parë botërore ekuilibrat në Ballkan prishen. Vendi ynë gjendet dhe njëherë përpara një udhëkryqi të madh. Blloku Qëndror: Perandoria Austro-Hungareze, Shteti Gjerman, Perandoria Otomane dhe Mbretëria e Savojës idem Italia (e cila më vonë kalon me Antantën) i shpallin luftë Bllokut të Antantës pra: Francës, Anglisë, Rusisë, Amerikës (që futet më vonë në luftë). Kjo luftë botërore që quhet e para, nisi nga ballkani dhe nuk kishte sesi të mos përfshinte dhe shtetet Ballkanike. Greqia, Serbia, Mali i Zi, Rumania dhe Sllovenia u rreshtuan në krah të Antantës, ndërsa Shqipëria sipas statutit të vendosur nga Fuqitë e Mëdha mbeti Neutrale. Por ky ekulibër i brishtë u prish menjëherë me fillimin e luftës së parë botërore për dy arsye:
E para – Shtetet Ballkanike si Greqia, Serbia apo Mali i Zi që kishin pretendime territoriale ndaj vendit tonë, ishin në krah të Bllokut të Antantës pra në luftë kundër aleatëve më të fortë të Shqipërisë, Bllokut Qëndror (përmend Austro Hungarinë, Gjermaninë, Italinë dhe deri diku Turqinë e cila më mirë shikonte një Shqipëri të pamvarur sesa një Greqi të Madhe që pretendonte territore edhe në Azinë e Vogël si dhe vetë Stambollin). Grekët me ushtri të rregullta, hynin në territorin shqiptar të mbështetur defacto nga anglezët dhe francezët (rasti i pushkatimit të Themistokli Gërmenjit nga Francezët për hir të Grekëve) në luftë gjoja kundër shqiptarëve që ishin sipas tyre me bllokun qendror dhe për të luftuar austro-hungarezët që kishin arrit në Shkumbin. Me këtë arsye ata u futën në territorin tonë me synimin që të mbeteshin njëherë e mirë aty.
E dyta – Shteti Shqiptar i dudhëhequr nga Vidi me fillimin e luftës u be inekzistent sepse princi largohet dhe vendoset një qeveri kukull me në krye Esad Pashë Toptanin i cili në emër të Antantës bashkëpunoi me Grekët dhe Serbët në dëm të shqiptarëve.

Pra reaksioni i brendshëm i stimuluar nga Esatistët dhe ai i jashtëm i stimuluar me pushtimin ushtarak nga Grekët nxiti dhe frymën filogreke të bashkëpunimit në Përmet. Megjithatë duke filluar nga viti 1914 e deri me mbarimin e luftës edhe pse grekët u munduan të blinin popullsinë me anë të ndihmave apo të mirave materiale, propagandës, forcës së armëve u krijuan ceta patriotike në Dangëlli, Dëshnicë dhe Shqeri në mbrojtje të territorit dhe popullsisë shqiptare. Cetës së Dangëllisë i printe Perikli Frashëri dhe vëllezrit Zavalani, asaj së Shqerisë i printe At Stath Melani, asaj së Dëshnicës Nexhip Bënja etj... Në këto vite grekët u munduan që me anë të propangandës së mbështetur nga priftëriunjë grekë, tu mbushnin mendjen përmetarëve orodoksë që të lidheshin me ta sepse ata ishin të një feje me grekët. Po ashtu grekët dogjën shumë fshatra në krahinat e Përmetit dhe kulmin e arritën kur masakruan gra dhe fëmijë në fshatrat e krahinave Dëshnicë-Dangëlli. Edhe me orthodoksët përmetar që nuk bindeshin ata pëdorën të njëjtën gjuhë. Kemi rastin më barbar, të prerjes së kokës të patriotit Stath Melani, të dërguar në Janinë mbi një tepsi për dhespotin e Janinës. Por lufta në malet dhe qyetin e Përmetit vazhdonte tashmë jo në blloqet ndërluftuese por mes ushtrive të rregullta greke dhe cetave patriotike që mbronin vatrat e familjeve dhe shtëpive të tyre.
Kalvari i dhimbjeve të popullit të Përmetit vazhdon edhe me mbarimin e luftës së parë botërore në vitin 1918. Me traktatin e Versajës edhe pse u ngritën pretendimet e palëve fituese Greqi dhe Serbi, me ndërhyrjen e patriotëve Shqiptarë si Fan S. Noli dhe presidentit Widrow Wilson u rivendosën pjesërisht kufijtë e caktuar në Konferencën e Ambasadorëve të 1913. Por disa territore ku përfshihej dhe Përmeti u lanë për tu parë përsëri nga një komision me anëtarë të të gjitha fuqive të mëdha. Ky komision do të vizitonte ato rajone përfshirë dhe një pjesë të rrethit tonë, që mbahej akoma i pushtuar nga Grekët me arsyen se mbronin popullsinë greke dhe se shumica e banorëve donin të ishin me Greqinë.
Po në të njëjtën kohë formohet një qeveri në qytetin e Durrësit me në krye Turhan Pashë Përmetin e cila filloi të organizonte mbrojtjen e kufijve te vendit tonë. Grekët u detyruan të tërhiqnin një pjesë të ushtrive e rregullta por një pjesë mbeti në pritje të verdiktit të Komisionit ndërkombëtar të Kufijve. Grekët nuk humbën kohë dhe përpara se Komisioni të kalonte në Krahinën e Përmetit, në një ditë mblodhi të gjithë burrat ortodoksë shqiptar të qytetit të Përmetit dhe i urdhëroi ata që kur të kalonte komisioni të flisnin greqisht dhe te hidhnin parrulla greke. Fjalimin e mbajti filogreku Përmetar N.P.. Por shumica protestoi dhe filloi të shante shqip dhe grekët filluan të qëllonin në ajër. Për fat të mirë asnjë nuk u vra jo sepse grekët nuk donin por se kishin frikë të bënin një masakër në kushtet e paqes dhe mbarimit të luftës. Natën forcat e parregullta greke hynin dhe kërcënonin familjarët ortodoksë përmetar me jetë nese nuk pranonin përpara komisionit ndërkombëtar se ishin grek dhe të lyenin shtëpitë e e tyre me kryqe dhe bojë të bardhë e blu. Komisioni erdhi aty nga viti 1919 por popullsia ortodokse përmetare përvec disa elementëve të shitur pranoi me plot gojën se janë shqiptarë dhe janë vëllezër me shqiptarët myslymanë. Komisioni vendosi që Përmeti ti mbetet Trungut Amë. Atëhere qeveria e patriotit Turhan Pash Përmetit ndërhyn menjëherë duke dërguar reparte vullnetarë për të zëvëndësuar trupat e rregullta greke. Por trupat e parregullta greke mbetën në malet e Shqerisë dhe Dangëllisë duke bërë akoma masakra dhe duke u zënë prita vullnetarëve shqiptarë. Lufta vazhdoi deri në vitin 1920, kur u shporrën dhe andartët e fundit. Po në këtë vit bëhet Kongresi i Lushnjës dhe formohet qeveria e Sulejman Delvinës. Përmeti kalon në ndarjen e re adminstrative si nënprefekturë brenda asaj të Gjirokastrës.

Nuk mund të lë pa përmendur dhe rolin e Fan Nolit e patriotëve të tjerë shqiptarë të Federatës Vatra (një pjesë e tyre emigrant nga Përmeti), i cili me gjithë shpirt mbrojti territoret e vendit tonë me anë të diplomacisë, ndihmave materiale gjatë kësaj kohe...

 

Nga Amaro Drom
© Permeti-Jone.Com / ForumiPermetar.com

 
< Prev   Next >